Tortë e kripur me mel dhe pesto patëllxhani
Të shfrytëzojmë perimet e verës sa kemi mundësin. Kjo tortë është e bërë me një pesto të thjeshtë patëllxhani por ka një shije që do ta mbani mënd gjatë. E pasuruar akoma me djathë të butë dhie me borzilok është ideale për të krijuar një banket apo një darkë në stilin aperitiv. E nëse nuk jeni vegjetarian sipër mund ti vini proshut të gjallë ose spek.
2 gota me mel
2 vezë
2 patëllaxhan
2-3 thelpinjë hudhëra
1 dorë arra
2 lugë pekorino ose parmixhano të grirë
kripë dhe piper i zi
pak vaj ulliri ekstra i virgjër
200 gr. djathë të butë dhie
një tufë e vogël me borzilok
2 lugë galet (peksimadhe)
Shpëlaheni mirë melin dhe vendoseni të ziejë në ujë të bollshëm me kripë për 15 minuta.
Ndërkohë përgatisni peston e patëllxhanit. Prisni patëllxhanët në copa të vegjël dhe vendosini të kavërdisen me pak vaj ulliri, kur të zbuten hiqini dhe vendosini në një blender ku do të shtoni dhe arrat, hudhërat, djathin e grirë, kripë, piper të zi dhe disa lugë vaj ulliri. Grijini derisa ti bëni një krem jo shumë homogjen.
Kur meli të jet ftohur, bashkojeni me vezët, peston e patëllxhanit dhe provojeni nëse ka nevoj akoma për kripë dhe piper të zi. Lyeni një tavë torte me hapje nga jashtë me vaj dhe galet dhe vendosni në të brumin e përfituar. Piqeni në 180° për 40- 50 minuta. Lëreni të ftohet mirë.
Djathit të dhisë shtoini gjethet e borzilokut dhe grijeni me mikserin derisa të bëhet një krem i butë. Lyeni tortën me të dhe shërbejeni.
Ju bëftë mirë 🙂