Fluturime Shpirtërore 27
Të lindura në shekuj rebele .
Larë në ujra shirash e furtunash teknike. Një këmbë në një kohë e tjetrën të ajrosur në erëra furtunash të pazën vënd……si një piruetë e zgjatur tmerrësisht gjatë .
Ti grua, që nuk u vrave në trotuare, që nuk godite me kallashnikovë, qe nuk vrapove në rreshtat e para të një fundi, por mjekove, ushqeve, ule gjakra e solle buzëqeshje akoma dhe aty ku loti digjte lëkura .
Ti forcë që mbajte bij nën zemrën tënde, lidhe zinxhirë jete e munde vdekjen, ti nënë, ti grua, ti femër !
Ti jetë !
E në paça fatin të kthehem sërisht në portën e madhe të hyrjes së kësaj bote, do doja të isha femër ( pavarësisht se pak vite më parë isha plotësisht e kundërt ).
Nuk do doja asgjë më shumë se sa të gjitha ato që kam ndier, ato momente që kam qeshur dhe ato kur kam dhëmbur, ato kur kam dashuruar dhe ato kur vetmia çirrte xhamat e dritareve të mbyllura të shpirtit .
Do doja të rikthehesha sërisht …për të dashur sërisht, për të besuar sërisht , për të folur e dëgjuar sërisht !
Do doja të lindja ….të ndjeja të gjitha dhimbjet …siç i kam ndjerë …dhe më shumë orë të vuaja në sallat e lindjes , aspak nuk do mallkoja fatin për këtë …do jepja gjithçka për të dëgjuar një të qarë të çajë ajrin e ti thërrasë botës për ardhjen .
E në shtratin e dhimbjeve të ëndërrosh ditën kur bebushi jot të sjellë tufat me luledele a manushaqe ….mimozat ose ato pikturat e tyre të para me trupat e shëndoshë e gjymtyrcinglash .
Nuk ka lumturi më të madhe se të dëgjosh të thërrasi mami ….e më vonë …NËNË ….shpirt !….thërrasim ne ,shpirt çke ?
E nuk ka asgjë në botë të mbushë kumbimin e kësaj fjale …e nuk mjafton vetëm një ” 8 Mars ” nuk mjafton vetëm një ditë e vetme në kalendar, as një tufè lule …as njè fugon i tërë …nuk mjafton .
Sot është fiks …8 Mars !
Dita juaj nëna! Dita juaj femra !
Është dita e çdo njërës prej jush që lindni me mundësinë për të risjellë në jetë, jetë, dashuri, mirësi, mirëkuptim .
Mjafton një hapje krahësh dhe ju mund të përqafoni gjithë botën, mund ti riktheni asaj nurin e humbur, bukurinë .
Dhe kjo botë fatkeqësisht kèrkon dhe pret shumë nga çdonjë nga ne .
Nga ne që ecim të shpenguara rrugëve të qyteteve të mëdha e metropoleve.
Por pa harruar sot ato të cilat nuk mund të ecin si ne, nuk mund të flasin ….vishen e sillen si ne, duke qënë se janë skllave të traditës, së kanunit , të detyrimit apo dhunës .
Një obelisk në emër të atyre që luftojnè çdo ditë për mbijetesën.
Femra nuk është skllave e bukurisë dhe domosdosmërisë por një univers që vlen për të eksploruar në të gjitha dimensionet .
Gëzuar Festën Nënë!
Gëzuar Festën Adda!
Gëzuar Festën të gjitha femrave anë e mbanë botës, por në veçanti ….lexueseve të mia .
Ju falenderoj për mbështetjen tuaj !
Valbona Duraj