Kungull furre me djathë të bardhë dhe sheg
Erdhi përsëri ajo kohë e vitit ku protagosnisti kryesor është kungulli. Një mijë e një receta mund të bëjmë me të nga të ëmblat te të kripurat. Sot unë po ju sjell një recete fare të thjeshtë të cilën mund ta shërbeni dhe si një tip sallate, antipaste për të nisur vaktin tuaj, si kontorno ose pjatë vegjetariane.
kungull i verdhë
2-3 lugë vaj ulliri
pak kripë dhe piper i zi
pak paprika
disa degë rozmarine
pak djathë të bardhë
kokrra shege
Lani lëkurën e kungullit mirë pasi do ta përdorim me gjithë lëkurë dhe priteni në feta të holla, aq sa mundeni sepse prerja e kungullit është e vështirë. Pastrojeni nga farat. Vendosini në një enë të bollshme ku do të shtoni, vaj, piper, kripë, paprika. Përzijeni mirë dhe renditini në një tavë me letër furre poshtë. Vendosni disa degë rozmarine nëpër kunguj për ti aromantizuar.
Vendosini të piqen në 160°C për 40-50 minuta ose derisa shikoni që janë pjekur dhe zbutur. Vetëm minutat e fundit ngrijeni temperaturën e sobës për ta thekërisur mirë sipërfaqen e kungullit.
Kur ta shërbeni shkërmoqini sipër djathë të bardhë dhe kokrra shege.
Është e mirë si e ngrohtë ashtu dhe e ftohtë.
Ju bëftë mirë 🙂