Kumkuati – mandarina kineze
Është një frut i vogël me origjinë nga Kina Jugore. Njihet gjerësisht si mandarina kineze. Sot, ky frut rritet në disa vende të botës dhe në ballkonet e shtëpive tona si frut dekorativ. Në Kinë është fryti i preferuar që nga lashtësia, dhe vlerësohet jo vetëm për vetitë që ka por, në kulturën kineze shihet edhe si fruti i bollëkut. Shijen e ka karakteristike si të gjithë citrusët aromatikë, të ëmbël dhe të athët.
Disa vlera ushqyese të tij:
- 100 g i tij përmban 71 kalori. Është i pasur në fibra, minerale, vitamina dhe anti-oksidantë, të gjitha këto i bëjnë mirë shëndetit.
- Kumkuati konsumohet me gjithë lëkurë, një veçanti kjo që e ndan atë nga frutet e tjera të familjes së qitros. Pikërisht është lëkura e këtij fruti që përmban një sasi të lartë anti-oksidantësh dhe fibrash.
- Kumkuati përmban gjithashtu karoten, lutein, zea-xanthin, taninë… etj.
- Ai përmban gjithashtu vitamina A, C dhe E. Të gjitha këto vitamina ndihmojnë në eleminimin e radikaleve të lira nga trupi, duke mbrojtur nga kanceri, diabeti, infeksionet etj.
- Ashtu si dhe portokalli, kumkuati është i pasur në vitaminë C. Vitamina C është një anti-oksidant shumë i fuqishëm që shërben për shëndetin e zemrës; ka veti të shërojë plagët, ndihmon kundër sëmundjeve të ndryshme nervore, lufton artritin, diabetin etj. Për më tepër vitamina C ndihmon në thithjen e hekurit tek ushqimet duke e rregulluar atë në formën e duhur në stomak.
- Kumkuati përmban dhe një nivel të lartë të grupit të vitaminave B-kompleks si tiamina (vitamina B1), niacina (vitamina B3), folate dhe acidin pantotenik (vitamina B5). Këto vitamina ndihmojnë për metabolizmin e karbohidrateve, proteinave, dhe yndyrnave.
- Për më tepër, kumkuati përmban minerale si kalcium, bakër, kalium, hekur dhe zink. Kalciumi është elementi kryesor që kërkohet për shëndetin e kockave dhe të dhëmbëve. Bakri nevojitet për prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut.
Kumkuati mund të ruhet në temperaturën e dhomës për 3-4 ditë dhe në frigorifer për mbi 3 javë.
Info: material i përkthyer nga wikipedia italiane.