Rosto viçi me salcë jeshile
Kjo pjatë mund të konsiderohet dhe si një pjatë e dytë nëse e shoqëroni me ndonjë sallat stine ose si antipastë. Në rastin tim unë e shërbeva si antipastë për gjatë një darke.
mish viçi tip rrosto rreth 800 gr
disa kokra karafili
1 gotë uthull të bardhë
1 gotë verë të bardhë
1 qep
2 karrota
2 rrënjë selino
disa gjethe dafine
50 ml. vaj ulliri
2 thelpinjë hurdhër
disa degë rozmarine
pak kripë dhe piper 1 zi
Për salcën
1 tufë me majdanozë
1 thelpi hurdhër
1 sardele nën vaj
1 dorë kaperi
pak uthull vere të bardhë
4-5 lugë vaj ulliri ekstra i virgjër
kripë dhe piper i zi
Vendosni mishin në një enë të thellë, shtoni qepën, karrotat, thelpinjtë e hurdhrës, selinon , gjethet e dafinës, rozmarinë, karafilat, nja dy lugë vaj ulliri, verën e bardhë, uthullën dhe mbulojeni me ujë ose me lëngë mishi. Lëreni të gatuhet rreth 1 orë e gjysëm pastaj lëreni të ftohet në lëngun e tijë. Hiqeni dhe mbulojeni me një beze kuzhine dhe ruajeni mënjanë. Përgatisni salcën për ta shërbyer.
Grini në mikser fletët e majdanozit me hurdhrën, kaperin dhe sardelen. Pastaj rregullojeni me kripë, piper të zi të bluar në çastë, vaj ulliri dhe një lugë uthull. Provojeni nëse ka nevoje për akoma kripë ose piper.
Prisni roston në feta shumë të holla dhe renditini bukur në pjatë. Sipër shtoni salcën që përgatitët dhe shërbejeni të ftohtë.
Ju bëftë mirë 🙂