Tortë e kthyer me ananas dhe karamel të kripur
Për mua kjo tortë është tipike për mëngjese ose pasdite festash. Të krijon atë ndjesin e gëzuar që vetëm atmosfera e fundvitit ta krijon. Tek piqet të mbushet shtëpia dhe shpirti me erë karamel. Receta qarkullon prej kohësh online por unë e solla me disa modifikime. Në vëndë të miellit të bardhë e bëra me miell integral dhe karamelin e solla të kripur. Në vendë të qumshtit hodha shurupin e ananasit.
3 vezë
2 kuti me komposto ananasi
100 ml. shurup ananasi
70. gr gjalpë temperaturë ambjenti
1 pako me pluhur pjekës për ëmbëlsira
Pak vanilje
250 gr. miell integral
100 gr. sheqer të bardhë ose 200 gr sheqer kaf
Për karamelin:
200 gr. sheqer të bardhë
1 lugë kafe kripë
50 gr. gjalpë
Rrihni gjalpin e butë me sheqerin dhe shtoni një nga në vezët, vazhdoni rrahjen derisa të keni një masë të butë. Përzieni miellin me pluhurin e vaniljes dhe pluhurin pjekës dhe shtoini dhe këtë te masa me vezë. Përzijini përsëri me rrahësin elektrik. Në fund shtoni shurupin e ananasit.
Përgatisni karalemin duke vendosur sheqerin në një enë me fundë të trash dhe lëreni derisa sheqeri të bëhet i lëngshëm, shtoni kripën dhe gjalpin dhe përzieni me shpejtësi që të krijoni një karamel paksa të trashë dhe lisho. Lyeni i fundin e një tortiere me pak gjalpë dhe sipër vendosni një letër kuzhine. Shtoni karamelin në të dhe mbulojeni fundin me feta ananasi. Pjesën që mbetet priteni ne copa te vogla dhe shtojani brumit. Përzijeni mbrumin me një spatul dhe vendoseni në tortiere. Piqeni në 160° për 40 minuta.
Lëreni të ftohet paksa para se ta nxirni nga forma të kthyer.
Ju bëftë mirë 🙂