Torta Red Velvet
Receta të panumërta ekzistojnë të kësaj torte dhe une kam provuar shumë sipas atyre që shihja në internet. Rezultati ka qën i pranueshëm por jo mrekullueshëm siç thonë të gjithë që është kjo tortë. Unë mendoja o nuk eshtë receta e duhur ose kjo tortë nuk i përshtatet shijeve të mija. Gjatë kohës që i testoja kam përgatitur 10 receta të ndryshme derisa gjeta këtë që bënte vërtet ” WOW” pasi provoje kafshatën e parë. Për veshjen e saj ka dy mënyra; një me krem gjalpi dhe me këtë del del super e shijshme por është shumë kalorik dhe tjetri me krem djathi. Unë do ua shkruaj të dy versionet e kremit. Ju zgjidhni kë doni më teper. Do ju këshilloja që për ngjyruesin e kuq të merrni vetëm atë ne xhel sepse e ngjyrosë më tepër brumin dhe e kuqja gjatë pjekjes nuk ndryshon shumë. Receta origjinale parashikonte 3 lugë kakao, sdo ju këshilloja pasi e errëson shumë brunim dhe e kuqja del gati në vishnje. Ndaj 1 lugë kakako mjafton. Tani përvishni krahët dhe përgatiteni këtë tortë për Shën Valentini. Unë e përgatita për përvjetorin njohjes me bashkshortin 🙂 Shën Valentinin tonë 😛
2 filxhan çaji e gjysëm me miell 00
2 filxhan çaji sheqer
1 lugë kakako e hidhur (pa sheqer pa qumësht)
1 lugë të vogël kripë
3 vezë temperaturë ambjenti
1oo ml. gjalpë i shkrirë ose vaj vegjetal
1 lugë të vogel vanilje
1 filxhan çaji kos (receta origjinale thot buttermilk që sipas njohurive duhet te jet dhalli jonë i nxjerrë nga ajkat por dhe me kos rezultati është i mrekullueshëm.
2 pako ngjyrues ushqimor i kuq në formë xheli
1 lugë të vogël me sodë buke
1 lugë uthull e bardhë
Për kremin e djathit:
3 pako djath filadelfia natyralë
150 gr. gjalpë në temperaturë ambjenti
2 lugë qumështë i ngrohtë
2 lugë sheqer
1 lugë e vogël vanilje
Për kremin e gjalpit
400 gr. gjalpë në temperaturë ambjenti
1 lugë të vogël vanilje
500 ml. qumësht
50 gr. miell oo
150 gr. sheqer pluhur
Përzieni miellin, kakaon dhe kripen dhe ruajini mënjanë. Përzieni mirë me rrahësin elektrik vezët me sheqerin derisa të bëhet shkumë. Pastaj shtoni ngadalë gjalpin e shkrirë dhe të ftohur gjithmone duke i përzierë.
Bashkoni ngjyruesin me kosin. Shtoni gjysmën e tijë te kremi me vezë, përzieni. Tani shtoni duke situr dhe gjysmën e masës së thatë dmth miellin dhe përzieni ngadalë gjithmonë me rrahësin elektrikë. Shtoni përsëri kosin me ngjyruesin, përzieni dhe në fundë shtoni masën e miellit , përzieni përseri.
Uthullën e bardhë përzijeni me sodën e bukës dhe lëreni të shkumëzojë, shtojani brumit të tortës, një përziere të lehtë dhe ndajeni brumin në dy tava me diameter 26 cm. Nëse skeni dy tava, piqeni dy herë brumin. Mos bëni gabim ta piqni në një të vetme, brumi është shumë i trashë dhe nuk do ju piqet mirë , për më tepër pandispanja do ju rri e rëndë dhe jo e fryrë. Piqeni në 180° për 30 -35 minuta. Bëni provën e shkopit nëse del i pastër nga mesi i tortës jan gati. Fikini dhe lëri të ftohen plotësishtë.
Përgatisni kremin e djathit duke rrahur gjalpin me sheqerin dhe qumshtin derisa të bëhet një masë shumë e kremtë. Shtoni filadelfian dhe përzieni mirë derisa të lidhen përbërësit. Ruajeni mënjanë por jo në frigorifer.
Për kremin e gjalpin ju duhet të nxehni qumshtin dhe të shtoni në te miellin, përzijini sipër zjarrit derisa të trashet. Hiqeni dhe vendoseni në një enë tjeter, mbulojeni me qese kuzhine duke prekur sipërfaqen e tij dhe lëreni të ftohet plotësishtë.
Rrihni mirë gjalpin me sheqerin pluhur dhe vaniljen derisa të bëhet masë e kremtë. Kur kremi prej qumështi të jet ftohur plotësishtë bashkojeni me gjalpin dhe përzieni përseri me rrahesin elektrik që të lidhen sëbashku.
Tani hiqni tortat nga forma e tyre dhe jepini një pamje të drejtë sipërfaqes së tyre duke i prer komplet koren e sipërme. Vendosini nja 10 minuta në frigorifer që siperfaqja të thahet paksa dhe mos ju dali thërrime tek e lyeni me krem.
Pastaj lyeni njërin disk me 1 nga kremërat që keni zgjedhur, vendosni sipër diskun tjetër me sipërfaqen e prer poshtë dhe ate të lëmuar sipër dhe dekorojeni të gjithë tortën me krem. Torta origjinale parashikon dekorin e saj nga jashtë me thërimet e pandispanjës së kuqe por unë e dekorova me trëndafila.
Mund ta dekoroni dhe me miell arre kokosi dhe fruta të kuqe.
Ju bëftë mirë 🙂