Rolé Pranverore
Rolétë pranverore janë një ushqim kinez tradicional. Mbushen me një larmi produktesh si; mish, peshk, perime ose të përziera bashkë. Në supermarketet e furnizura mirë, do të gjeni fare lehtë petat e orizit, por mund dhe t’i bëni vetë duke zënë brumin me miell orizi, niseshté orizi, pak kripë dhe ujë.
Për 12 rolé:
1 pako me peta orizi, në mungesë të tyre, mund të përdorni dhe peta byreku
gjysmë lakre
1 karrotë
1 kungull
1 spec jeshil
1 spec i kuq
1 spec i verdhë
2 qepë të njoma
1 rrënjë e vogël xhinxher
200 gr. mish viçi i grirë
3-4 lugë salcë soje
kripë
pak vaj luledielli
vaj kikiriku për skuqje
Për salcën:
1 spec djegës i freskët
2 lugë salcë domatesh
1 lugë e vogël niseshte
1 filxhan kafeje, sheqer ngjyrë kafe
1 filxhan kafeje, uthull e bardhë
2 filxhan kafeje ujë
pak kripë
Grijini perimet në fije të holla dhe vendosini të kavërdisen me pak vaj në zjarr të mesëm, shtoni dhe mishin e grirë dhe kavërdisini së bashku. Shtoni kripë dhe xhinxher të grirë me rende. Përziejini edhe për pak dhe shuajini me salcën e sojës. Hiqini dhe lërini të ftohen.
Njomini petat e orizit (nëse keni përdorur ato të gatshmet), në ujë të ngrohtë. Nëse përdorni peta byreku, nuk është e nevojshme. Hidhni pak mbushje në mes, përthyejeni fillimin, pastaj anët dhe mbështillini në formë roléje. Skuqini në vajin e nxehtë, derisa të bëhen “krokante”.
Përgatitni salcën, duke vendosur në zjarr uthullën me sheqerin, shtoni specin e grirë imët dhe salcën e domateve, pasi të trashet paksa, shtoni niseshtenë e përzier me ujin dhe përziejeni vazhdimisht derisa salca të trashet dhe në ajër nuk do të ndieni më aromën e uthullës.
Shërbejini rolétë së bashku me salcën.
Ju bëftë mirë 🙂
Shënim : për versioni e gatuara në avull ju duhet se sbën peta orizi dhe mjafton ti zieni në avull për 20 minuta.