Medalion gici me dardha të karamelizuara dhe salcë thane
Ata që më ndjekin prej kohës e dinë tashmë që unë jam e apasionuar të kombinoj mishin me frutat ose mishin me salca frutash. Është një kombinim i veçantë dhe tepër origjinal. Meqë jemi në kohën e thanave kjo recet më erdhi kaq natyrshëm
300 gr medalion gici është forma e rostos por pak më vogël. Kërkojani kasapit tuaj t’ju presi në formën e tillë
2 dardha të forta
200 gr. thana
1 lugë vaj ulliri
1 lugë mjaltë
Pak kripë
Pak piper të zi
1 gotë verë të bardhë
1 lugë të vogël me sheqer kaf
Fillimishtë përgatisni salcën e thanës duke vendosur thanat të zbuten në tiganë me mjaltin. Sapo të fillojnë të karamelizohen shtoni gjysëm gote ujë. Lërini të zbuten , ruani disa kokra të plota për dekorin dhe masën e zbutur kalojeni në një sitë të imët duke e shtypur mirë me lugë. Salcën që kalon poshtë ruajeni mënjanë.
Prisni mishin në medalion. Vendosni një tiganë të nxehet mirë dhe shtoni në të vajin. Sapo vaji të nxehet vendosni dhe medalionet në të. Skuqini mirë nga të dyja anët. Shtoni kripë dhe piper të zi dhe shuani me verë të bardhë. Sapo vera të avullojë hiqini filetot dhe ruajini të ngrohta mënjanë. Në të njëjtin tiganë vendosni dardhën e prerë në feta, sheqerin kaf dhe lërini të karamelizohen nga të dyja anët.
Tani formoni pjatën duke kombinuar feta dardhe dhe mishi, anash dekoroni me coulisin e thanës.
Shërbejeni.
Ju bëftë mirë ☺️