Krem katalan me xhenxhëfil
Kremi katalan është një krem spanjoll i rajonit të Katalonjës. Unë bazës klasike të tije e cila është qumësht,vezë, lëkura limoni i kam shtuar dhe xhenxhëfil për ta bërë më pikant në shije. Personalisht më pëlqeu jashtë mase por doja dhe mendimin tuaj. Përgatiteni dhe më lini një koment këtu poshtë si ju është dukur. 🙂
500 ml. qumësht
3 të verdha veze
50 gr. sheqer të bardhë
2-3 lugë sheqer kaf
1 limon
1 shkop kanelle
1 rrënjë xhenxhëfili
pakëz arrë myshku
1 lugë niseshte
Shtoni sheqerin e bardhë te qumshti së bashku me kanellën, lëkurat e limonit vetëm pjesën e verdhë dhe xhinxherin e qeruar dhe të prer në feta. Vendoseni tenxheren në zjarr të ngadaltë që të ngrohet dhe të aromantizohet qumshti.
Veçmas rrihni vezët dhe bashkojeni me niseshten. Përzijeni mirë që mos ketë kokrriza.
Kur qumshti të jetë aromantizuar dhe nxehur, kullojeni dhe shtojeni te ena me vezë. Përzijeni mirë dhe këtë masë trasferojeni përsëri në një tenxhere dhe vendoseni në zjarr të avashët duke e përzierë pa pushim derisa të trashet.
Ndajeni në tasa të vegjël dhe lërini te ftohen mirë, pastaj vendosini në frigorifer të mpiksen për rreth 3-4 orë. Në momentin e shërbimit përzieni sheqerin kaf me pak arrë myshku dhe spërkatni kremin sipër. Nëse keni makinën përkatëse që djeg sheqerin , karamelizojeni sipërfaqen e kremit me të. Në të kundërt kaloini 5 minuta në furrën e nxehur në maksimum duke e vënë zgarën sa më sipër rezistencës.
Ju bëftë mirë 🙂