Fashion Food inspiruar nga Aulona Musta – “panna cotta” pana kota me luleshtrydhe
Ushqimi im i sotëm inspirohet nga veshja pranverore e Aulona Mustës. Një personazh shumë i dashur për të gjithë me thumbimet saj. Një pana kota e freskët e sjell në mënyrë tjetër pa e gatuar në banjo mari. Me shtimin e xhelatinës së peshkut ose agar agari-t dhe e ruajtur në frigorifer për disa orë ajo arrin të mpikset dhe të mari pamjen e një kremi të qëndrueshëm. Ndërsa pjesa e luleshtrydheve që unë kam dashur të sjell në mendje fundin që Aulona mban veshur, është një salcë luleshtrydhesh xhelatinoze e cila i shton akoma më shumë freskin ëmbëlsirës. Po ju lë me recetën 🙂
250 ml pana e freskët lëngë
2 flet xhelatin peshku ose një lugë të madhe me agar agar
100 gr. sheqer
1 stek vanilje
Për xhelatinën me luleshtrydhe:
1 limon
300 gr. luleshtrydhe
150 gr. sheqer kaf
1 flet xhelatin peshku
Vendosni 2 fletët e xhelatinës së peshkut në ujë të ftohtë të njomen. Panën bashkojeni me sheqerin dhe farat e vaniljes së bashku me lëkurën e saj dhe vendosini në zjarrë të marrin valë. Sapo të nxehet mjaftueshëm dhe të aromantizohen me vaniljen shtoni xhelatinën e peshkut të shtrydhur. Përzijeni mirë që të tretet. Filtrojeni me një kullese dhe ndajeni në forma individuale. Vendoseni në frigorifer te fresku të mpikset për nja 4 orë.
Kaloj kjo kohë vendosni xhelatinën tjetër të njomet në ujë të ftohtë. Luleshtrydhet bashkoini me sheqerin dhe lëngun e limonit dhe vendosini në zjarrë të gatuhen, përzijini derisa të bëhet një pure e trashë. Hiqeni nga zjarri dhe kalojeni në një sitë duke e shtypur mirë. Salcën e filtruar shtoini xhelatinën dhe përzijeni derisa të shkrihet mirë xhelatina. Lereni të ftohet paksa dhe hidheni sipër panës që kemi në frigorifer. Lereni akoma te fresku të mpikset dhe pjesa tjetër. Para se ta shërbeni nxireni nga forma me kujdes që mos i prishni formën e saj.
Ju bëftë mirë 🙂