Falenderime – #tëdielave

Një aromë që përhapet deri në dhomën time më zgjon nga gjumi… fërgëllima e tiganit kur diçka skuqet, ritmit të përsëritur të shkopit të byrekut mbi tavolinë dhe melodia e preferuar që mami këndon nën zë…. Edhe dielli atë ditë të shuhej…. Ndarje të mos kish…. nëse mijëra kilometra sot na ndajnë….
dhe zgjohem, me hap të shpejtë për në kuzhinë dhe mbi tavolinë me presin pitet e saj…
Ja kështu nisnin të Dielat e mia kur isha e vogël, e kështu i nis edhe sot në ëndrra… që më bëhen realitet sa herë rikthehem në shtëpi.
Në rast se do të pyesnit veten përse ky titull?! Sepse të dielat janë të rëndësishme për mua, ashtu si për çdo familje.
Mu deshën plot 2 vjet për të sjellë përsëri pranë jush një krijim timin, projekt që më bëri të derdh shumë lot nga një gabim teknik, vështirësia me fotografitë për të arritur stilin që kërkoja, njëkohësisht më bëri të fluturoja mes gëzimit se në mendje kisha vetëm atë. Çdo sekond që kam kaluar këto dy vitet e fundit ka qenë i projektuar mbi këtë libër, për ta sjellë vërtet ashtu siç doja unë, dhe unë nuk jam perfekte, por përpiqem.
I ndarë në 8 kapituj, të gjithë të konceptuar brenda një dite të Diel. Duke nisur nga mëngjesi i vonë që takon drekën. ..Drekat e bollshme me famijlen dhe të ftuarit, Pasditet me mikeshat. Pjekjen e bukës dhe tortave, përgatijen e ushqimit për të marrë me vete në punë të nesërmen dhe dy kategori shumë të dashura për mua. Ushqimi vegjetarian dhe supërat.
Ushqime të thjeshta të servirura thjeshtë gjithashtu.
Jeni të shumta që e prisnit dhe falë jush, vajzave të Instagramit dhe të Facebook-ut që më keni mbështetur në çdo ide që kam shprehur, më keni ndihmuar me shqipërimin sa më të saktë të përbërësve, keni duruar edhe shpërthimet e mia virtuale për gjërat që nuk më kanë shkuar ashtu siç i prisja. Faleminderit me përulësi,
Një falenderim shkon për bashkudhëtarin tim të jetës, kritikun tim më të madh , atë që më bëri të dua kaq shumë 2 metra katrorin që zë soba dhe furra, anën e majtë të tavolinës dhe kënaqësinë e të ngrënit bukë me djathë kur ke zemrën plot….Faleminderit Toni, për ngrënien e çdo vakti pas 100 fotove dhe durimin e rrëmujës çdo të Dielë.
Faleminderit edhe ti krijesa më e bukur në botë që s’do t’i lexosh kurrë këto rrjeshta se Zoti të solli pranë meje në formën e një maceje. Por unë e di që sytë e tu kur më shohin mua, e kuptojnë sa shumë dashuri kam për ty. Faleminderit Kitty, që më pret me mall pas çdo udhëtimi, më sillesh nëpër këmbë sa herë gatuaj dhe më prish skenat e fotografive sepse je kurioz të dish çfarë po ndodh.
Faleminderit motrës dhe vëllait tim, që falë tyre libri i parë “Jeto Dashuro Ushqehu” pati suksesin e merituar dhe shpërndahet kudo, Shqipëri dhe Botë.
Faleminderit mami dhe babi për krenarinë dhe këmbënguljen me të cilat më keni mësuar t’i çoj gjërat deri në fund.
Engjëllit tim me duart e arta, që më mësoi jo vetëm të gatuaj por dhe të thur me grep e shtiza, të qëndis e të jem një zonjë shtëpie. “Nona ime do jesh gjithmonë në çdo recetë timen”
Faleminderit dy redaktoreve të mia, Elsa Ymeri-t, mike e mirë e vajzë e talentuar me të cilën,sa herë ritakohemi, ndër shumë biseda të ëmbla, shkëmbejmë idetë mbi pasionet tona të përbashkëta, para një gote vere të kuqe.
Dhe Iva Tiços, përveçse një profesioniste në fushën e letrave,njëherësh dashamirëse e ushqimit dhe gatimit. Si një adhuruese biskotash, s’kish si të mos editonte me pasion kategorinë “Pasdite me mikeshat”
Një falenderim i veçantë shkon për Asia Berdon, vajzën e talentuar që ka realizuar mjeshtërisht, foton e kapitullit “Pasdite me mikeshat”
Faleminderit dizenjatores time Jurgena Tahiri-t për durimin dhe këshillat e çmuara.
E nëse kam harruar ndonjë…nuk ka qënë e qëllimshme. Lumturia ndahet ashtu siç ndahet ushqimi mirë. Dhe ushqimi në këtë libër vjen nga kuzhina ime shërbehet në tryezën time dhe do të shërbehet dhe hahet tashmë edhe në tuajën.
Një himn për ushqimin e shtëpisë. Gëzuar!