Dredhanikë me qep të njoma dhe djath
Ja këto janë ato gatime që mua më kujtojn shtëpin. Gjyshen që i shtyp qepët me dorë për mos i skuqur dhe më mëson si të hap petët. Por unë këto të shkreta pet si mësova kurrë ti hap. Këtë byrek e bëra bashkë me mamin kur isha para ca kohësh në shtëpi dhe ajo më detyrën për të mi mësuar petët por prap se prap si mësova.
Për petët:
1 kg. miell
pak kripë
ujë i ngrohtë sa mjafton për brumin
Për mbushjen:
1 kg. qep të njoma
400 gr. djathë i bardhë
3 vezë
1 gotë qumësht
1 lugë miell
2-3 lugë vaj ulliri
pak vaj luledielli për të spërkatur petët
pak kripë
një tuf koper
Zini brumin me pak kripë dhe ujë të ngrohtë derisa të formohet. Punojeni mirë me duar dhe mbulojeni me një beze të njomur me ujë të ngrohtë të pushoj paksa.
Ndërkohë përgatisni gjellën e mbushjes duke grirë imët qepët, pastaj shtypini me pak kripë me dorë. Përzijeni qumshtin me një lugë miell dhe shtojeni te qepët, shtoni vezët e rrahura, koperin e grirë imët, pak vaj ulliri dhe djathin e shkërmoqur. Përzijeni mirë dhe ruajeni mënjanë.
Prisni brumin në kulaç të vegjël. Kulaçet, me ndihmën e pak niseshteje hapini në disqe rreth 10 cm. Këto disqe bashkojini tre e nga tre me pak vaj në mes tyre. Disqet treshe hapini në një pet të madhe . Te peta e madhe shtoni pak gjellë në mes, paloseni në dysh dhe mblidheni rreth vetes sikur po fomoni një tub. Tani rrutullojeni nga brënda sikur po formoni një spirale. Vendoseni në mes të një tepsie të lyer me pak vaj.
Hapni një tjetër pet të madhe, vendosni pak gjellë në mes sajë, paloseni në dyshë, mbilidhe në tubë dhe këtë mblidheni rreth spirales që vurëm në tepsi. Bëni kështu për gjithë pjesën tjetër të brumit. Lyeni sipërfaqen e dredhanikut me pak vaj dhe vendoseni në furrë të piqet në 200° për 30 minuta.
Shërbejeni të ngrohtë.
Ju bëftë mirë 🙂