Bakllava me arrë kokosi
Kjo ështe receta e mamit tim e cila pati shumë sukses kur jua postova në facebook. Por dhe sa herë e përgatis për të ftuarit është një ëmbëlsirë që pëlqehet gjithmonë. Ideale për tu dhuruar.
2 pako me pet për bakllava
5 kokrra vezë
1 gotë sheqer , gotë uji mesatare
250 gr. arre kokosi
200 gr. arra
Rreth 300 gr. gjalpë i shkrirë
Për shërbetin:
1 kg sheqer
750 ml. ujë
karafila ose gjethe barbaroze për aromantizim
Rrihni sheqerin me vezët derisa sheqeri të tretet mirë. Shtoni më pas arrën e kokosit dhe arrat e grira dhe trazojini që masa të lidhet.
Shtroni dy pet të spërkatura me gjalpë të shkrirë dhe në mes të petës vendosni në mënyrë horizontale mbushjen, dhe mblidheni petën në formën e një roleje.
Vendoseni në një tavë të spërkatur me gjalpë. Në këtë mënyrë veproni dhe për pjesën e mbetur të petave.
Pritini në copa të vogla në gjatësin rreth 6-7 cm . Sipër shtoini gjalpin e mbetur dhe piqni në furrë të nxehur më parë në 180°C për rreth 40-45 minuta sa të shikoni që ka marr ngjyrë të artë sipër.
Përgatisni sherbetin duke shkrirë sheqerin në ujë dhe vendoseni në zjarr me disa gjethe barbaroze ose karafili. Lëreni të zjej 10 minuta pasi ka marr valën e parë. Hiqeni dhe lëreni të ftohet paksa.
Kur bakllavaja të jetë e vakur dhe sherbeti gjithashtu shtoini sherbetin bakllavas dhe mbulojeni që të njomet mirë.
Lëreni të pushoje rreth 4-5 orë para se ta shërbeni.