Argjinare të furrës me kore patatesh
Një tavë e thjeshtë sidomos për ata që dashurojnë argjinaret. Mund të jet një pjatë e vetme vegjetariane ose një kontorno për ndonjë fileto mishi.
1 kg. argjinare
4-5 patate të mëdha
3-4 lugë galet
100 gr. djathë parmixhano
kripë dhe piper të zi
trumëz
majdanoz
vaj ulliri
2-3 thelpinjë hudhër
1 spec djegës i thatë
Pastroni argjinaret nga fletët e forta, pushi i brëndshëm dhe maja e tyre. Pritini hollë dhe vendosini në ujë me limon. Lërini të pushojnë për disa minuta.
Grini imët hudhërat dhe vendosni të aromatizojnë vajin sëbashku me specin djegës. Pastaj shtoni dhe argjinaret e shtrydhura nga uji. Kavërdisni sëbashku pastaj shtoni majdanozë të grirë imët, kripë dhe piper të zi. Shtoni nja dy gota ujë dhe lërini derisa të zbuten dhe të kenë pirë ujin.
Spërkasni një tavë me galet. Shtroni sipër saj argjinaren.
Pritni patatet në feta të holla. Vendosini në një enë ku do të shtoni pak vaj, djathin e grirë, kripë, piper, gjethe trumze dhe galetën e mbetur. Përzijeni mirë që patatet të lyen nga të gjitha anët dhe vishni sipërfaqen e tavës ku janë argjinaret. Shtoni akoma pak vaj sipër dhe piqeni në 200°C për 20 minuta ose kur shikoni që patatet janë bërë kërce.
Shërbejeni.
Ju bëftë mirë 🙂
Submit your review | |