Pajisjet që çdo amvisë duhet të ketë në shtëpi
Ne femrat jemi mësuar që të kemi çdo gjë që shohim, por ndonjëherë blejmë gjëra që aty për aty na duken të nevojshme, por që rezultojnë të jenë humbje parash. Sipas meje, pajisjet që secila nga ne duhet të ketë në kuzhinën e saj, janë këto që po ju shkruaj më poshtë. Bëjnë shumë funksione njëherësh:
1 – Kryesori për mua është roboti i kuzhinës, me shumë proçese njëherësh. Shtrydh, grin fruta, perime, mish. I pajisur me helika rrahëse për brumë buke dhe ëmbëlsira, për të mos folur pastaj për prerjen e perimeve në feta shumë të holla për sallata, etj. Kushton pak në fillim, por kurseni në morinë e gjërave të tjera kompletuese.
2 – Mikseri në zhytje. I pazëvëndësueshëm nga asgjë tjetër. Ju shkurton kohë dhe nuk bëni shumë enë pa larë.
3 – Thikat. Duhet të keni të paktën 3 thika për t’i bërë gjërat ashtu si duhet. Thikën e madhe që përdoret për grirje të imët, prerje të hollë me dorë, etj. Një thikë sharrë të përmasave të mesme që përdoret për të prerë domate dhe disa fruta të squllura, si dhe një thikë të vogël me majë për të bërë prerje dekorative. Dhe për më tepër shërben si qeruese e frutave dhe perimeve.
4 – Duhet të keni patjetër dy tiganë në kuzhinën tuaj. Një të madh, të thellë, që mund ta përdorni për makaronat dhe rizotot, si dhe një tigan me fund që nuk ngjit.
5 -Tavën e pjekjes me hapje nga jashtë: 22 cm. Pothuajse të gjitha recetat për përgatitjen e tortave kanë masa për një tavë mesatare 22 cm.
6 – Një tavë të thellë me kapakë të përshtatshëm për furrë. Me të mund të realizoni pjekjen, si në zjarr edhe në furrë, në veçanti për gatimin e rostove, mishrave të mbushur, etj. Kapaku do t’ju ndihmojë shumë për mostharjen e mishit ose njomjen e tij herë pas here. Ndërkohë, ju mund të merreni me punëra të tjera dhe të mos shqetësoheni shumë.
7 – Letrat e furrës nuk duhet të mungojnë kurrë në kuzhinë. Janë shumë të nevojshme për pjekje dhe për të veshur tavën e madhe të furrës që çdo sobë ka. Ёshtë tava më praktike.
8 – Qeset e pastiçerisë. Duken si të panevojshme, por më besoni që ju japin një dorë të mirë në kuzhinë, si për dekorimin e ëmbëlsirave, ashtu edhe për salcat.
9 – “Spatul” kuzhine, gome ose silikoni. Me të do t’i fshini mirë tenxheret ose tasat ku keni përgatitur diçka, si dhe nuk do t’ju shkojë dëm asgjë.
10 – Teli i kuzhinës. I nevojshëm për përzierjet e salcave në zjarr.
11 – Kulluese për të nxjerrë gjërat e skuqura nga vaji.
12 – Gërshërë kuzhine.Të nevojshme për të prerë, në veçanti; erëzat e njoma.
13 – Një rrahëse mishi. Do t’ju duhet, jo vetëm për të rrahur mishin, por edhe për të copëtuar frutat e thata, shtypur piperin kokërr, etj.
14 – Peshore, më mirë nëse do të jetë elektronike, pasi janë më të sakta.
15 – Një tenxhere presioni. Nuk e keni idenë sa kohë ju shkurton kjo tenxhere, në veçanti, gjatë përgatitjes së ushqimit në dimër. Dhe dy tenxhere normale; një të mesme dhe një të lartë për zierjen e makaronave.
16 – Lugë druri. E pazëvëndesueshmja lugë e drunjtë, mbi tenxhere ku gatuhet një gjellë.
Dhe nëse jeni të apasionuara me të vërtetë shumë pas kuzhinës, ju siguroj që nuk do të bëni dot pa dërrasën e kuzhinës. Një makinë për hapjen e petëve, një gotë të milimetrizuar, një qëruese patatesh,zgare për pjekje, forma të vogla për ëmbëlsira, tavën dhe tenxheren prej balte, tavën e qelqit për tiramisunë, pincetën, etj, etj.