Tortë me çokollatë
Për tju falenderuar të gjithave për urimet e përzemërta që më keni bërë po ju postoj recetën e tortës time të ditlindjes së 32-të receten e së cilës e gjeni dhe te Jeto Dashuro Ushqehu.
E keni parasysh atë ndjesinë që doni të hani diçka super të mirë dhe të mos t’ju bjerë ndërmend fare për gramët që do të shtoni? Doni atë ëmbëlsirën që në çdo lugë që do hani t’ju çojë në parajsë?
Kjo tortë bën për ju!
Për pandispanjën:
3 vezë të plota,
8 të verdha vezësh
200 gr. miell 00,
50 gr. niseshte patateje,
50 gr. kakao pluhur pa sheqer,
100 gr. sheqer,
16 gr. pluhur për ëmbëlsira,
100 gr. çokollatë të zezë,
2-3 lugë qumësht,
pak kripë.
Për kremin me çokollatë:
500 ml. pana të freskët,
4 lugë sheqer,
500 gr. çokollatë të zezë,
40 gr. gjalpë,
arra dhe bajame për dekorim.
Përgatitni kremin e çokollatës, duke vendosur panën të ngrohet mbi zjarr, me gjalpin dhe sheqerin. Përziejeni vazhdimisht, derisa sheqeri dhe gjalpi të shkrijë dhe pana të jetë nxehur, por mos e lini të marrë valë. Shtoni në të dhe çokollatën e copëtuar. Përziejeni derisa çokollata të shkrijë e gjitha. Kalojeni të gjithë enën në “banjomari”, me akull dhe ujë dhe përziejeni kremin me rrahësin elektrik, për rreth 10 minuta, derisa të bëhet pak me shkumë. Vendoseni në një qese pastiçerie, me grykën në formë ylli. Vendoseni në frigorifer te fresku të ftohet.
Përgatitni pandispanjën, duke rrahur me përzierësin elektrik vezët e plota me sheqerin, për rreth 15 minuta ose, kur shikoni që masa është zbardhur dhe është bërë me shkumë. Shtoni të verdhat e vezëve një nga një dhe rrihini përsëri për 20 minuta të tjera.
Ndërkohë shkrini çokollatën e zezë në “banjomari” dhe lëreni të ftohet. Bashkoni miellin me kakaon, niseshténë dhe pluhurin e ëmbëlsirave dhe pakëz kripë. Shtoini te vezët, duke i situr miellin e përzier me kakaon dhe pluhurin e ëmbëlsirave dhe përziejini ngadalë me një “spatul” kuzhine nga lart-poshtë, që të mos ulni volumin e kremit.
Shtoni edhe çokollatën e shkrirë, të ftohur dhe vazhdoni përziejeni, derisa masa të jetë homogjene. Nëse është shumë e trashë, shtoni disa lugë qumësht që ta holloni brumin.
Lyeni një tavë për torta me gjalpë dhe pluhuroseni me miell. Shtoni në të brumin dhe piqeni në furrë për 20-25 minuta, në 180°. Kontrollojeni me një kunjë dhëmbësh në mes të saj. Nëse del i pastër është gati. Lëreni të ftohet.
Pasi pandispanja është ftohur, bëjini një të prerë në mes diametrit të saj. Një pjesë që do ta përdorni për bazën, njomeni me pak qumësht dhe lyejeni bollshëm me kremin e çokollatës.
Vendosni bazën tjetër sipër saj. Lyeni pjesën e poshtme të tortës me krem çokollate dhe visheni me arra dhe bajame të grira trashë.
Me pjesën tjetër të kremit të çokollatës bëni forma trëndafilash sipër tortës. Vendoseni në frigorifer. Nxirreni 1 orë përpara se ta shërbeni.
Shënim: Kremi i çokollatës, i quajtur ndryshe “ganash”, ka veti që ngrin shumë në frigorifer dhe shkrin shpejt nëse e lini në temperaturë ambienti.
Trëndafilat me kremin e çokollatës, bëhen me një qese pastiçerie me grykë yll, duke nisur në mes dhe duke bërë një rrotullim rreth vetes, duke e mbajtur dorën të përthyer pak vertikalisht.
Faleminderit dhe ju bëftë mirë 🙂
Submit your review | |