Tavë perimesh me qofte
Ju bëj të ditur me zë të lartë që përgatitjet e mija të preferuar verore janë tavat. Më pëlqejnë ti bashkoj të tëra aty e ta lë në sobë të piqet teksa unë rri e qet e lexoj ndonjë libër. Dhe këtë punë e bëj të dielave më së shumti pasi e kam ditën time të pushimit. 😛 Të dielën dua vetëm të rri, të lexoj shtrirë dhe kaq. Por dhe kur kam shumë të ftuar e sma ka shumë ënda të gatuaj me një tavë e zgjidhë punën, e as shtëpin se bëj rrëmuj e rri shijoj shoqërin e të ftuarve të mi pa e vrar mëndjen për ushqimin. Tava e sotme është e përbërë nga perime stine dhe qofte, mua mu ndodhën perimet që shikoni në listën e mëposhtme por ju mund të përdorni çtë kini. Qoftet mund ti përgatisni disa ditë para dhe ruajini në frigorifer për ti përdorur në momentin që ju nevojiten.
Për qoftet:
300 gr. mish i grirë viçi
300 gr. mish i grirë derri (une kisha ca salsiçe të freskëta dhe shkërmoqa brumin e tyre)
1 vezë
3-4 thelpinjë hurdhëra
1 qep
2 feta tul buke i njomë me qumësht
gjethe mëndre
rigon
kripë dhe piper i zi
1 majë luge sodë buke
1 lugë vaj ulliri
Pjesa tjeter:
2 patëllxhana
2 qep
një dorë domate qershizë
3-4 kungulleshka
3-4 patate
2-3 speca jeshil
2 speca të kuq
kripë dhe piper i zi
majdanoz
pak rigon
4-5 lugë vaj ulliri
1 gotë verë të bardhë
2 thelpinje hurdhër
Përgatisni qoftet duke bashkuar mishërat, shtoni vezën, tulin e bukës së shkërmoqur, qepën e grirë, mëndrën e grirë, hurdhërat e shtypyra, kripë dhe piper të zi, sodën dhe vajin e ullirit dhe punojeni mirë brumin me duar derisa ti lidhni gjithë përbërësit. Pastaj formoni qofte të medha dhe ruajeni mënjanë.
Prisni të gjitha perimet në copa të mëdha. Shtroini në një tepsi dhe shtoni sipër kripë, piper të zi, rigon, vajin e ullirit, hurdhërat e grira dhe përzijini mirë me duar. Vendosini qoftet sipër perimeve, shtoni gotën e verës dhe majdanozin e grirë. Futeni në furrë e nxehur më parë në 160° për nja 2 orë të mira derisa perimet të zbuten dhe sipërfaqja e tyre të theket.
Shërbejeni të ngrohtë me majdanoz të grirë sipër.
Ju bëftë mirë 🙂