Ballokume
Recetën ma ka dhënë një elbasanllie puro kështu që të gjithë ju të tjerët që do më shani jo nuk është receta origjinale etj etj po ju them që mbas ballokumeve që bënte familja e mikeshes time këto që kam përgatitur unë jan të dytat më të mira në botë 🙂 Duhet kuptuar që çdo familje ka recetën e vet që e ruan me fanatizëm dhe kjo që po ju shkruaj unë ka dal nga një familje që i ka përgatitur me pafundësi brezash të tilla. Vetëm se unë bëra disa ndryshime të vogla, ula dozat e sheqerit sepse mu dukën shumë të ekzagjeruara dhe nuk u lodha duke i përzier 2 orë me lugë druri kështu që i futa te roboti i kuzhinës dhe u mor ai duke përzier brumin për 2 orë të mira ngadal e ngadal. Besnike i ndënja finjës të cilën e ndjeja gjithmon te ballokumet dhe mendova që pa shijen e saj prej druri sdo ishin të njëjta. Ndaj mora lagjen mbarë për të gjetur një oxhak akoma ndezur për ti marrë hirin. Jo për ti bërë qefin vetes por si hera e parë që i përgatis më kane dal origjinale si ato të Elbasanit dhe nuk mu dukën aq të vështira sa i bënin. Falenderoj dhe vajzat që më ndjekin në Facebook të cilat më dhanë goxha sygjerime sesi ti realizoja ato sa më mirë.
Për rreth 20 cop
1 kg. miell misri i situr ( kujdes thash i situr kështu që i pasitur duhet të jet mbi 1 kg. e gjysëm)
400 – 500 gr. sheqer
8 vezë
500 gr. gjalpë në temperaturë ambjenti
2 -3 lugë hi druri
1 dorë miell gruri
Gjalpin Vendoseni në një enë sëbashku me sheqerin dhe rriheni mirë për nja 30 minuta derisa masa të jet e bardhë dhe shkumose. Pastaj shtoni një nga një vezët gjithmon duke i përziere papushim. Hirin shtojeni në një gotë dhe mbusheni me ujë, përzijeni dhe lereni të kullojë.
Nga mielli i misrit hiqini një dorë dhe shtoni po një dorë me miell gruri. Perzijini.
Te masa me gjalpë dhe vezë shtoni nga një dorë miell gjithmon duke i përzierë deri në fundë të tijë. Me gjysmën e lëvozhgës së vezës merrni lëngun e finjës së kulluar dhe shtojeni te brumi. Përzijeni. Lëreni masën të pushoje në frigorifer për nja 20 minuta. Ndërkohe sobën nxeheni në 50°. Vishni një tavë me letër furre dhe siper shtoni brumë sa ju kap dora. Mos u merakosni se është i çregullt, duhet të jet i tillë, plus gjatë pjekjes ai hapet dhe kini kujdes mos i vendosni shumë afër me njëra-tjetrën. Vendosni tavën në mesin e sobës dhe ngrini temperaturën në 170° për sobat statike dhe 150° për ato me ventilator. Lëreni të piqet derisa të marin ngjyrë të artë dhe të thahen mirë reth 25 minuta. Duhet të ftohen plotësishtë para se ti konsumoni. Janë më të mira të nesërmen.
Gëzuar Ditën e Verës 🙂